Festimet e Krishtlindjeve në një familjeje në Itali u shndërruan në tragjedi pasi nënë e bijë vdiqën pas një darke që konsumuan në banesën e tyre.
50-vjeçarja, Antonella di Ielsi dhe vajza e saj 15-vjeçare, Sara di Vita vdiqën brenda pak orësh nga njëra-tjetra gjatë fundjavës në spitalin Cardarelli në Italinë jugore.
Shkaku i vdekjes dyshohet të jetë helmimi nga ushqimi pas një vakti që familja hëngri më 23 dhjetor.
Menuja përfshinte kërpudha, peshk dhe ushqime deti, përfshirë midhje.
Nëna dhe vajza përjetuan të njëjtat simptoma, të përziera dhe dhimbje të forta barku. Ato u shtruan në spital ku 15-vjeçarja ishte e para që vdiq në orën 22:30 të mbrëmjes së së shtunës. Nëna e saj u nda nga jeta disa orë më vonë, të dielën në mëngjes.
Babai dhe bashkëshorti, Gianni, u dërgua gjithashtu në spital, i cili po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Spallanzani të Romës. Nëna dhe vajza kishin qenë në spital edhe dy herë përpara se të ktheheshin në spital të shtunën me simptoma edhe më të rënda.
E vetmja e mbijetuar ishte vajza e dytë e familjes. 18-vjeçarja besohet se nuk ka ngrënë në darkën fatale që u mori jetën dy personave.
Policia mori mostra ushqimore nga shtëpia e familjes, duke përfshirë produkte të konservuara dhe produkte të freskëta, për të përcaktuar se cili produkt mund të ketë shkaktuar helmimin.