Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka analizuar viziten dhe deklarimet e kryepatriarkut serb Porfirije në Kosovë, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me frymën e Pashkëve dhe si nxitëse të tensioneve në rajon.
Në reagimin e tij, Fetoshi rikujton se “Mesazhi i Pashkëve: triumfi i jetës mbi vdekjen, i së vërtetës mbi mashtrimin dhe i dashurisë mbi urrejtjen”, duke theksuar se retorika e fundit fetare dhe politike bie ndesh me këto parime.
Ai kritikon drejtpërdrejt thirrjet e Porfirijes për “vepra konkrete që dëshmojnë dashurinë për Kosovën dhe Metohinë”, duke i cilësuar si pjesë e një diskursi të kamufluar që shoqërohet me narrativë politike dhe propagandë për rrezikimin e serbëve në Kosovë.
Po ashtu, Fetoshi vë në pah kontradiktën në mesazhet e patriarkut, duke përmendur edhe ligjërimin fetar “që besimtarët ta gjejnë vëllain edhe te armiku”, ndërkohë që, sipas tij, vijon përdorimi i retorikës nacionaliste dhe ndërthurja e fesë me politikën.
Ai thekson se kjo qasje përbën një kombinim të rrezikshëm të shtetit dhe fesë, duke akuzuar se përmes saj synohet mobilizim nacionalist dhe manipulim ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe glorifikimin e figurave të dënuara për krime lufte si Ratko Mlladiq i dënuar nga Haga për gjenocid dhe krime të luftës.
Në përfundim, Fetoshi bën thirrje që aktorët ndërkombëtarë si Vatikani, BE, SHBA e UNESCO të reagojnë, duke e cilësuar këtë qasje si një “mallkim për paqen dhe sigurinë” në Ballkan dhe më gjerë.