Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka akuzuar kryediplomatin serb se po vijon të përdorë Këshillin e Sigurimit të OKB-së për përhapjen e propagandës kundër Kosovës.
Sipas Fetoshit, Këshilli i Sigurimit është shndërruar në një “echo chamber” të propagandës serbo-ruse për Kosovën, ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, po vazhdon me narrativën e “viktimizimit”.
“Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq me reprizën e ‘viktimizimit’, duke dezinformuar për ‘diskriminim institucional, frikësim dhe presion sistematik’ ndaj serbëve në Kosovë. Edhe performanca e sotme, një farsë që bazohej në efektet e përsëritjes dhe në shfrytëzimin e seancës si një platformë për ‘ndërkombëtarizimin’ e propagandës”.
Ai thekson se pretendimet e palës serbe u kundërshtuan në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë seancës, përfshirë edhe nga përfaqësuesit e Kosovës dhe vendet anëtare.
“Shifrat pa asnjë shpjegim mbi ‘incidentet etnike’, pretendimi për ‘respektimin e të drejtës ndërkombëtare’, si dhe kornizimi i FSK-së si ‘militarizim që minon stabilitetin rajonal’, u dekonstruktuan aty për aty, jo vetëm nga kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, por edhe nga shumica e vendeve anëtare”, ka thënë ai.
Fetoshi shton se shumica e shteteve kërkuan përgjegjësi nga Serbia për rastin e Milan Radoiçiq, ndërsa disa prej tyre riafirmuan se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Gati të gjithë i kërkuan Serbisë përgjegjësi për Radoiçiqin, e disa ia kujtuan se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke kërkuar njohjen e saj si zgjidhja e normalizimit dhe si kusht për paqen e qëndrueshme”.
Në reagimin e tij, ai thekson se për Serbinë ky forum mbetet një mjet për propagandë, duke përmendur edhe rolin e UNMIK dhe mbështetjen e Rusia.
“Ai nuk shkon në Nju Jork për t’iu përgjigjur Shteteve të Bashkuara, Britanisë apo Francës, madje as Kosovës, por për ta amplifikuar ‘viktimizimin’. Fjalimet e tij janë recital i përsëritur i një komunikimi strategjik që synon ta deformojë realitetin në Kosovë”.
Fetoshi shton se raportet e UNMIK-ut po shfrytëzohen si bazë për këtë narrativë, ndërsa kritikon mungesën e mekanizmave për të sanksionuar dezinformimin në këtë forum.
“Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara e refuzojnë këtë cirk absurd, duke përsëritur kërkesën për mbylljen e UNMIK-ut”.
Në fund, Fetoshi vlerëson se mbyllja e UNMIK-ut do të reflektonte realitetin e Kosovës së pavarur dhe do të ndalte përdorimin e Këshillit të Sigurimit si platformë për narrativat manipuluese.
“Forumi i mandatuar për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, s’do të duhej të shërbejë edhe më tutje si hapësirë riciklimi për narrativat manipuluese që kërcënojnë stabilitetin në Ballkan”, ka thënë Fetoshi.