Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka shkruar për një nga rastet më të rënda të manipulimit dhe propagandës shtetërore serbe gjatë luftës në Kosovë – masakrën në kafiterinë “Panda” në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998 u vranë gjashtë të rinj serbë dhe u plagosën 15 të tjerë.
Në një postim në Facebook, Fetoshi ka theksuar se ky krim u përdor nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit si operacion “false flag”, me synimin për t’ua faturuar shqiptarëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të justifikuar dhunën dhe gjenocidin e forcave serbe në Kosovë.
Sipas tij, në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po kërkonte të vërtetën për Kosovën dhe po shtonte presionin ndaj Beogradit, regjimit serb i duheshin krime të inskenuara për propagandë.
Fetoshi ka thënë se UÇK-ja nuk kishte kryer sulme ndaj civilëve, fëmijëve apo të moshuarve, ndryshe nga forcat serbe të rregullta dhe paramilitare.
Ai kujton se pas masakrës u arrestuan dhe u dënuan shumë shqiptarë të pafajshëm, të cilët u torturuan dhe vazhdojnë edhe sot të vuajnë pasojat, ndërkohë që kurrë nuk u zhvillua një hetim serioz për të zbuluar autorët e vërtetë.
Fetoshi rikujton se në vitin 2011 u hap një hetim formal nga Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi, por pa emra dhe pa aktakuzë, ndërsa në dhjetor të vitit 2013, Aleksandër Vuçiq pranoi publikisht se në dosjen e rastit “Panda” nuk ekzistonte asnjë provë që fajësonte shqiptarët.
Sipas tij, edhe një hetim tjetër në vitin 2016 konfirmoi se krimi nuk ishte kryer nga shqiptarët, por sërish pa u zbardhur autorësia e vërtetë.
“Përkundër kërkesave për t’i gjetur e dënuar kriminelët edhe 27 vjet pas, familjarët e viktimave vazhdojnë të privohen nga e vërteta dhe të “ngushëllohen” me propagandën morbide të “fajësimit” të shqiptarëve”, shkruan Fetoshi, duke shtuar se edhe sot, 27 vjet më pas, rasti “Panda” përdoret në forume dhe rrjete sociale për propagandë kundër shqiptarëve.
Ai thekson se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të ndërtohet mbi mohimin dhe harresën, ndërsa paqja, sipas tij, mund të vijë vetëm kur Serbia të pranojë krimet e saj.