Prodhuesi amerikan i makinave elektrike Tesla është duke u përballur me rënie të fitimit edhe pse ka raportuar të ardhura rekorde gjatë tre muajve pasi blerësit amerikanë nxituan të siguronin një kredi kyçe tatimore për blerjet e makinave elektrike.
Tesla ka bërë të ditur se të ardhurat për tre muajt deri në fund të shtatorit arritën një rekord prej 28 miliardë dollarësh ose 12% më shumë se e njëjta kohë e vitit të kaluar.
Por fitimet e kompanisë ranë me 37% për të njëjtën periudhë, pjesërisht për shkak të kostove shtesë të lidhura me tarifat.
Këto rezultate raportohet se vijnë para një votimi nga aksionarët e kompanisë që do ta bëjnë në nëntor mbi një pako të re page për drejtorin ekzekutiv, Elon Musk, që mund të kap shifrat deri në 1 trilion dollarë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Vlerësimi i kompanisë në tregun e aksioneve prej rreth 1.4 trilion dollarësh është nxitur në muajt e fundit nga besimi i investitorëve se Musk mund të përmbushë ambiciet e tij për ta transformuar Teslën në një lider global në inteligjencën artificiale (IA) dhe robotikën.
Por shitjet e automjeteve aktualisht mbeten burimi kryesor i të ardhurave, ndërsa këto produkte të reja janë duke u zhvilluar.
Ashtu si prodhuesit e tjerë të makinave në të gjithë botën, Tesla po përballet me konkurrencë të ashpër nga rivalët kinezë si BYD.
Tesla përmbysi një seri rëniesh tremujore të shitjeve, ndërsa blerësit amerikanë nxituan të kërkonin kredi tatimore federale deri në 7,500 dollarë para se të skadonin në fund të shtatorit. Por rivalë si Ford dhe Hyundai shënuan një rritje edhe më të fortë të shitjeve në SHBA gjatë së njëjtës periudhë.
Tesla po përballet gjithashtu me taksat e vendosura mbi importet e pjesëve të makinave dhe lëndëve të para nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Në tetor, Tesla zbuloi modele më të lira të dy prej makinave të saj më të shitura në SHBA, në një përpjekje për të rritur shitjet ndërsa skadojnë stimujt federalë.
Kompania nxori versione të reja të makinave të saj Model Y dhe Model 3, të cilat kanë një çmim rreth 5,000 dollarë më të ulët se versionet e mëparshme.