Nga sot fillon java ndërkombëtare e Logopedisë, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësisë për nevojen e logopedit në kujdesin kritik dhe mjekësinë emergjente.
E ftuar për të biseduar për këtë në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini, ishte logopedia e klinikës “Empatia”, Fjolla Rexha.
Rexha deklaroi se logopedi nuk është profesionist shëndetësor vetëm për fëmijë ashtu siç është krijuar stereotipi, por mund ta ndihmojë personin në secilën fazë të jetës. Ajo thekson se roli i logopedit nuk dihet mjaftueshëm në vendin tonë, dhe se përfshirja e tyre në mjekësinë emergjente është shumë e nevojshme.
Sipas saj, pas secilës traumë, sëmundje, operimi e të tjera që ndikojnë në të folurit e pacientit, duhet të jetë i pranishëm edhe logopedi. Andaj thekson se çdo vit shoqata evropiane e logopedëve shënon ditën ndërkombëtare të logopedisë 6 marsin, për të rritur ndërgjegjësimin se sa i nevojshëm është logopedi.
Sa i përket problemeve të zhvillimit gjuhësor tek fëmijët, që janë problemet më të shpeshta me të cilat përballen logopedët, Rexha deklaroi se një nga faktorët kyç që shkakton problemet e të folurit është teknologjia.
Ajo deklaron se prindërit duhet të zgjedhin programet me të cilat stimulojnë fëmijët e tyre, dhe ata të jenë para teknologjisë maksimumi 40 minuta gjatë ditës. Shtoi se nën moshën 2 vjeçare fëmijët nuk duhet ekspozuar fare para teknologjisë në mënyrë që të mos ndikohet në zhvillimin gjuhësor të tyre.
Logopedia thekson se është e pamundur në këtë kohë t’i shmangemi plotësisht teknologjisë, mirëpo shton se së paku duhet të kujdesemi që ta përdorim për të mirë, 1 deri në 2 orë para gjumit fëmijët mos të ekspozohen fare para teknologjisë, si dhe të monitorohen aplikacionet që ata përdorin.
Në lidhje me javën e logopedisë që ka nisur sot, Rexha bëri të ditur se klinika “Empatia” pjesë e së cilës është edhe ajo, ka filluar me aktivitete dhe në agjendë janë edhe shumë aktivitete tjera. Sot në nisje të javës së logopedisë kanë pasur aktivitete me grupmosha të ndryshme, me fëmijët e kopshtit.
Me datë 2 dhe 3 mars janë ditët e vlerësimeve të mbyllura për kopshtet, me 4 mars është dita e vlerësimeve të hapura për të gjithë qytetarët, të cilët mund të ndajnë termin në numrat e telefonit të klinikës “Empatia”.
Këto konsulta dhe vlerësime do të jenë falas, me fillim nga ora 10:00 në klinikë do të jenë të gjithë logopedët për të ofruar shërbime. Me 6 mars do të prezantojnë rolin e logopedit në mediume të ndryshme, teksa me 7 mars dita që përmbyll javën e logopedisë, do të kenë një aktivitet që shënon edhe ditën e mësuesit, një trajnim i hapur për mësuesit dhe edukatoret me këshilla dhe rolin që ka logopedi së bashku me psikologun në trajtimin e fëmijëve.