Në një nga ditët më të nxehta të këtij qershori, Greqia po përballet me një situatë alarmante zjarresh në afërsi të qytetit bregdetar Palaia Fokaia, rreth 40 kilometra në jug të Athinës.
Temperatura që ka tejkaluar 38 gradë Celsius në disa zona, ka përkeqësuar gjendjen e terrenit dhe ka ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Deri më tani, mbi 1.000 banorë janë evakuuar nga katër fshatra – Triantafyllia, Charakas, Katafygi, Tourkolimano – si dhe nga qyteza Thymari, pas paralajmërimeve emergjente të dërguara përmes shërbimit civil 112. Sipas autoriteteve, dhjetëra shtëpi janë shkrumbuar, ndërsa shumë të tjera kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Në operacionin e shpëtimit dhe përballjes me flakët janë angazhuar 130 zjarrfikës, dhjetëra vullnetarë, 12 avionë dhe 12 helikopterë, si dhe forca të Ushtrisë dhe Rojës Bregdetare. Bashkë me to, autocisterna të bashkive dhe mjete të tjera ndihmëse po punojnë për të ndalur përhapjen e zjarrit në drejtim të pyllit të virgjër të Lavrios. Ndërkohë, anije të Rojës Bregdetare dhe një barkë Zjarrfikëse janë vendosur në breg për të ndihmuar në shuarjen e vatrave.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku i zjarreve mbetet i lartë edhe në ditët në vijim, deri në fundjavë, kur parashikohet një rënie e temperaturave dhe fuqisë së erës.
Pavarësisht rritjes së buxhetit dhe përforcimit të brigadave me mjete dhe staf të specializuar, zjarret e fuqishme vazhdojnë të shkrumbojnë zona të tëra, të nxitura nga thatësira ekstreme dhe temperaturat rekord. Mbrojtja civile greke mbetet në gatishmëri të plotë.