Pas fitores ndaj Elches në “Montjuïc”, Barcelona nuk ka pasur shumë kohë për pushim. Skuadra katalanase zhvilloi sot një seancë rikuperuese në qendrën stërvitore “Ciutat Esportiva Joan Gamper”, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Belgjikës për ndeshjen e së mërkurës ndaj Club Brugge, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Teksa sezoni po bëhet gjithnjë e më intensiv, me ndeshje, udhëtime dhe ritëm të lartë stërvitjesh, trajneri Hansi Flick ka vendosur të ndryshojë planin e përgatitjeve për të ruajtur freskinë fizike të lojtarëve.
Seanca e radhës do të zhvillohet të martën në orën 11:00 paradite, në kompleksin stërvitor në Sant Joan Despí, ndërsa menjëherë pas saj ekipi do të niset për në Belgjikë. Flick dhe një nga lojtarët, ende i papërcaktuar, do të mbajnë një konferencë për media në stadiumin “Jan Breydel” pasdite, sipas kërkesës së UEFA-s.
Në ndryshim nga praktika e mëparshme, skuadra nuk do të stërvitet në stadiumin ku do të luajë ndeshjen. Trajneri gjerman ka vendosur që lojtarët të pushojnë në Barcelonë dhe më pas të udhëtojnë drejt Bruges, duke e konsideruar pushimin si pjesë thelbësore të përgatitjes fizike dhe parandalimit të lëndimeve.
1,300 tifozë do të mbështesin Barçën në Bruges
Skuadra katalanase nuk do të jetë e vetme në Belgjikë. Rreth 1,300 tifozë blaugrana do të jenë të pranishëm në “Jan Breydel”, përfshirë 690 anëtarë zyrtarë të klubit dhe 610 nga klubet e tifozëve.
Nga tetë klubet zyrtare të Barcelonës në Belgjikë, pritet pjesëmarrja e 197 tifozëve, kryesisht nga Ghent dhe Liège, ndërsa në tribunat e stadiumit do të ketë edhe mbështetës që vijnë nga Stuttgart, Roosendaal dhe Paris./Marca