Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit mbi gjendjen në pikat kufitare, të përditësuara në ora 08:19 të mëngjesit të sotëm (25 gusht).
Sipas raportimeve, hyrja në Kosovë paraqitet me pritje të shkurtra, që variojnë nga 3 deri në 5 minuta në shumicën e pikave kufitare. Përjashtim bëjnë Jarinja dhe Merdara, ku pritjet arrijnë deri në 10 minuta.
Megjithatë, situata ndryshon ndjeshëm për qytetarët që po dalin nga Kosova.
Në pikën kufitare të Merdares, pritjet janë më të gjatat, duke shkuar nga 70 deri në 90 minuta, ndërsa kolona e automjeteve është rreth 600 metra. Po ashtu, te Dheu i Bardhë pritjet në dalje arrijnë deri në 40 minuta, me kolonë rreth 400 metra. Në Jarinjë, pritjet për dalje variojnë nga 10 deri në 15 minuta me kolonë 200 metra.
Në të gjitha pikat e tjera kufitare, hyrje-daljet për automjete dhe kamionë raportohen me pritje të shkurtra, mes 3 deri në 5 minuta, pa kolona të theksuara.