Forcat ukrainase kanë ndërtuar një linjë të re mbrojtjeje përgjatë kufirit verior të pafortifikuar me Bjellorusinë mes shenjave të një sulmi tjetër.
Rusia kishte pushtuar Ukrainën përmes kufirit të Bjellorusisë në shkurt, kur ishte munduar të kapte kryeqytetin, Kiev.
Më 10 maj, shefi i ushtrisë së Bjellorusisë, Viktor Gulevich, kishte njoftuar vendosjen e forcave speciale dhe pajisjeve bjelloruse në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si një “kërcënim jugor” nga Ukraina dhe NATO, shkruan “The Guardian”.
Bjellorusia ka kryer stërvitje ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën që nga fillimi i majit.
Të martën, Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, i kishte kërkuar aleancës ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, e cila u mblodh në Moskë, të qëndrojë e bashkuar për Ukrainën dhe e kishte akuzuar Perëndimin për zgjatjen e konfliktit.
Para shkurtit, pjesa më e madhe e kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë përbëhej nga pika të vogla kontrolli të ngjashme me kioska, të cilat tanket ruse i depërtonin me lehtësi.
Dy ditë pas pushtimit, Ukraina kishte mbyllur të gjitha pikat e saj kufitare me Bjellorusinë dhe Rusinë.

Në analizën e tyre të kërcënimit nga Bjellorusia, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar kishte thënë se prania e forcave bjelloruse në kufi ndoshta do të pengonte Ukrainën nga vendosja e operacioneve mbështetëse në frontin e saj të Donbasit.
Ndryshe, pas fillimit të luftës në Ukrainë, shumë vendas u larguan nga vendet ku po jetonin.
Sipas Komisionit të Lartë të OKB-së për refugjatët, rreth pesë milionë e 133 mijë e 747 ukrainas janë larguar nga vendi që prej fillimit të pushtimit të Rusisë më 24 shkurt.
Sipas Komisionit të Lartë të OKB-së, gratë dhe fëmijët përbëjnë 90% të refugjatëve që janë larguar nga vendi.
Disa vende kanë pranuar refugjatë ukrainas. Rreth dy milionë kanë shkuar në Poloni.
Vendet fqinje ku kanë shkuar ukrainasit, përveç Polonisë janë: Rumania 757 mijë e 047, Rusia 549 mijë e 805, Hungaria 471 mijë e 080, Moldavia 426 mijë e 964, Sllovakia 342 mijë e 813 dhe Bjellorusia 23 mijë e 759.