Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë rritur bashkëpunimin në fushën e logjistikës.
Sic bën të ditur FSK-ja një delegacion nga Komanda Mbështetëse e FARSH-it ka qëndruar për vizitë në Komandën e Logjistikës së FSK-së, transmeton Dukagjini.
“Delegacioni u prit nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, që i njoftoi homologët nga FARSH me të arriturat, sfidat, ngritjen e kapaciteteve, misionin dhe detyrat e Komandës së Logjistikës, Strukturën organizative, aktivitetet dhe zhvillimet tjera në fushën e Logjistikës dhe Mjekësore”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Delegacioni shqiptar vizitoi edhe servisin për automjetet e rënda në FSK, ku patën mundësinë të shohin nga afër kapacitetet e mirëmbajtjes.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë kësaj vizite u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve logjistike dhe mjekësore, përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy forcave.