Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike, pak para nisjes së seancës së radhës për përpjekjen e 35-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka cilësuar si të papranueshme dhe të turpshme zvarritjen e procesit të konstituimit, duke ia adresuar përgjegjësinë kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht, është turp ajo që po ndodh – bota po kallet flakë, ndërsa ne po zihemi mes vete për pozita. Duhet t’i vijë fundi kësaj situate të papranueshme”, u shpreh Gashi për mediat para seancës.
I pyetur për deklarimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me kontaktet e pretenduara nga ana e LVV-së për çështjen e koalicionit, Gashi u shpreh se nuk është i informuar për to.
“Nuk e kam parë dhe nuk e di çfarë ka deklaruar kryetari”, tha ai.
Kosova ndodhet prej javësh në një bllokadë institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, për shkak të pamundësisë së partive politike për të konstituuar Kuvendin dhe për të zgjedhur udhëheqësinë e tij.