Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi nga radhët e LDK-së, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij ka arritur të realizojë shumicën e premtimeve të dhëna para qytetarëve.
Në Debat Plus, Gashi tha se bilanci i punës së tij është se rreth 80 për qind e premtimeve janë përmbushur.
“Premtimet kanë qenë të shumta, mendoj që është bilanc i mirë në përqindje rreth 80 për qind e përmbushjes së premtimeve. Projektet që janë gjysmë të përmbushura janë për shkak të përmbarimeve nga kontratat kolektive dhe janë në proces. Kurse një pjesë e projekteve të pa filluara kanë mbetur për shkak të çështjeve pronësore”, tha Gashi.
Ai shtoi se në raste të caktuara projektet e pamundura për realizim janë zëvendësuar me investime të tjera në të njëjtën zonë, si ndërtimi i rrugëve apo projekte të infrastrukturës.
Ndër projektet më të mëdha të ndërmarra nga komuna, Gashi veçoi projektin e ngrohjes qendrore, për të cilin tha se ka kërkuar mbështetje nga institucionet qendrore, por pa sukses.
“Projekti më i kushtueshëm për neve është që aktual është, nxemja qendrore kemi menduar shumë kur e kemi filluar që do të has mirëkuptim edhe në institucione të nivelit qendror që katër herë radhazi kemi adresuar kërkesa edhe në komisione parlamentare edh amendamente në parlament po nuk kanë gjetë mirëkuptim”, ka deklaruar Gashi.