Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet me një presion gjithnjë në rritje. Sipas gazetës luksemburgase Tageblatt, ai është tërhequr në një mbrojtje të mbyllur, duke u përpjekur prej muajsh t’i rezistojë protestave masive përmes përkrahjes së policisë dhe simpatizantëve të paguar që qëndrojnë në kampin e ngritur në qendër të Beogradit.
Që nga fillimi i marsit, shkruan gazeta, Parku i Pionirëve – i vendosur mes ndërtesës së Presidencës dhe Parlamentit – është shndërruar në një zonë të pazakontë të mbështetësve besnikë të regjimit, të apasionuar pas kampimit. Mes gardheve të ndryshkura dhe mbeturinave të kalbura, rritet bari i keq dhe mungon mirëmbajtja.
Tageblatt e përshkruan këtë kamp, të njohur si “Cacilendi”, si një mburojë të improvizuar prej çadrash, të mbushur me “kundërshtarë të porositur” të lëvizjes studentore – persona trupmëdhenj që kanë krijuar një pengesë të madhe për trafikun në Beograd dhe një shqetësim të përhershëm për banorët e afërt.
Sipas gazetës, disa dhjetëra të rinj ngritën çadrat në këtë vend një javë përpara protestave të mëdha të marsit në kryeqytet, me pretendimin se kishin dëshirë për të studiuar dhe për të kundërshtuar protestat studentore. Më vonë, kampi u mbush edhe më shumë me persona të sjellë me autobusë – përfshirë edhe nga Kosova – të cilët, sipas Tageblatt, ishin të paguar për të marrë pjesë në protestat pro-regjimit.
Gazeta transmeton edhe deklaratën e politikanes opozitare nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila thotë se ende vazhdon sjellja e organizuar e serbëve nga Kosova për të banuar në kamp si një akt mbështetjeje për Vuçiqin – qoftë për kundër-mitingjet apo për “tubimet popullore” të regjimit.
Ndërkohë që Vuçiq del rregullisht para mediave me tre studentë përfaqësues, kampi, sipas gazetës, është i mbushur me aktivistë të vjetër të partisë SNS, policë civilë dhe agjentë të shërbimeve të sigurisë. Pavarësisht vapës së verës, protestat vazhdojnë në mbarë Serbinë, ndërkohë që mësimi në universitete ka rifilluar.
Sipas Tageblatt, “kryengritja në kryeqytet, e cila ka nisur në nëntor kundër një lideri gjithnjë e më të papëlqyer si Vuçiq, duket se është shtyrë për në vjeshtë”. Por në Beograd, për shkak të kampit të çadrave dhe automjeteve që shërbejnë si fortesë presidenciale, linjat e autobusëve dhe trafiku vazhdojnë të devijohen, ndërsa jeta e përditshme në qendër të qytetit mbetet e ngjashme me një gjendje të jashtëzakonshme.
Gazeta përmbyll artikullin duke cituar titullin e së përditshmes serbe Danas: “Cacilendi – pa protesta, pa qëllim, pa shpjegim”, ndërkohë që “Parku i Pionirëve mbetet nën rrethim”.