Google ka njoftuar se gjatë këtij viti do të integrojë asistentin e tij të avancuar me inteligjencë artificiale, Gemini, në Android Auto dhe në automjetet me shërbime të integruara të Google.
Ky përditësim synon ta bëjë përvojën e drejtimit më të sigurt dhe më të mençur, duke lejuar përdorimin e komandave “hands-free”, pa pasur nevojë për shtypje butonash apo largim të duarve nga timoni.
Përdoruesit do të mund të komunikojnë me Gemini në mënyrë të natyrshme, njësoj si në telefonat inteligjentë, por me funksione të dedikuara për automjetet. Për shembull, shoferët do të mund të kërkojnë nga Gemini që t’i drejtojë drejt një zyre postare, të gjejë karikues elektrik pranë një parku ose të ofrojë udhëzime të tjera të dobishme gjatë rrugës.
Me opsionin Gemini Live, biseda me asistentin AI bëhet më e avancuar. Shoferët do të mund të kërkojnë këshilla për situata të ndryshme personale apo profesionale, si për shembull: “Si ta pyes shefin për një rritje rroge?”
Sipas kompanisë, Gemini do të bëhet i disponueshëm fillimisht në Android Auto pas disa muajsh, ndërsa më pas do të përfshihet edhe në automjetet që kanë shërbime të integruara nga Google. Aktualisht, mbi 250 milionë automjete në mbarë botën e mbështesin Android Auto, ndërsa rreth 50 modele makinash përfshijnë sistemin e integruar të Google pa pasur nevojë për lidhje me telefon.