Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga senatori, Peter Boehm, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Senatin e Kanadasë.
Siç ka njoftuar MPJD-ja, gjatë këtij takimi, u diskutua rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë rreth rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Ministrja Gërvalla ka theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe të sigurisë, duke përmirësuar kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe duke ofruar një mbështetje të qëndrueshme ndaj sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, ajo ka falënderuar senatorin Boehm për mbështetjen e palëkundur të Kanadasë ndaj Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.
“Një tjetër pikë kyçe e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Ndër të tjera, të dy palët shprehën dëshirën për zgjerimin e mundësive të investimeve dhe të shkëmbimeve tregtare, për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të dy vendeve.