Një familje në veri të Mitrovicës teksa po gërmonte te një varr ka hasur në mbetje eshtërore.
Siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë, mbetjet eshtërore janë gjetur të mbështjella me një batanije dhe dyshohet se i përkasin ndonjë viktime të luftës, njofton Dukagjini.
Njësitet policore të Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, ,mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime të mëtejshme. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori.
“Mitrovicë Veri / 1998-1999. Njësitet policore të DHKL-së në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku një familje gjatë hapjes-gërmimit të një varri për një familjar të tyre, ka hasur në një batanije me mbetje eshtërore të cilat dyshohet se janë të luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime të mëtejshme. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.