Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova nuk mund të krahasohet me rajonin sa i përket incidenteve apo grupeve kriminale brenda burgjeve.
Ai ka theksuar se, fatmirësisht, Kosova nuk ka incidente të rënda dhe serioze brenda burgjeve, ashtu siç ndodh në vendet e rajonit.
“Ne nuk kemi grupe të fuqishme brenda burgjeve, grupe kriminale të cilat cenojnë seriozisht rendin dhe sigurinë brenda burgjeve”.
“Mund të ketë grupe të vogla në burgje, por jo banda kriminale që rrezikojnë sigurinë”, ka thënë ai.
Më tej ai ka thënë se stafi i SHKK-së ka përfituar shumë trajnime nga donator të ndryshëm përfshi Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Sa i përket kontrabandës Dibrani ka potencuar tendencën për futjen e gjërave ilegalisht nga familjarët e të burgosurve duke dhënë edhe statistika ndër vite të parandalimit.