Gjermania për arrestimin e Spahiut: Serbia të garantojë proces të drejtë e t’i përmbahet marrëveshjes

Ministri gjerman i Shtetit, Gunther Krichbaum, ka njoftuar se Gjermania po i ndjek me kujdes arrestimet e disa shqiptarëve në Serbi, përfshirë edhe arrestimin e Igor Popoviqit në Kosovë.

Pas një takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Krichbaum ka bërë disa kërkesa për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se arrestimet duhet të jenë të justifikuara dhe në përmasa të arsyeshme.

Gjermania po monitoron veçanërisht arrestimin e ndihmësdrejtorit të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.

Për këtë, Krichbaum kërkon që Serbia të respektojë procedurat ligjore dhe të sigurojë një proces të drejtë gjyqësor, në përputhje me marrëveshjet e dialogut që thonë se rastet për veprime penale në Kosovë duhet të trajtohen kryesisht në Kosovë.

Ministri gjerman ka rikujtuar se qeveria e tij mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje të dyja vendeve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, duke u përmbajtur nga deklaratat dhe veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet.

“Ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër arrestimin e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Çdo masë e heqjes së lirisë duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Po ashtu po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për drejtësinë që thotë se procedurat penale për veprat në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Punë të Jashtme e Gjermanisë. 

Ai u ka bërë thirrje të dyja palëve të rikthejnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut, duke lejuar lëvizje të lirë dhe të sigurt për negociatorët dhe ekipet e tyre. Gjithashtu, i ka kërkuar që të kenë kujdes në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatin e tyre.

Krichbaum ka përmendur se Gjermania do të mbështesë të dy vendet në arritjen e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor për normalizimin e marrëdhënieve.

“U bëj thirrje të dyja shteteve që të rikthejnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, po ashtu për negocitatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një përmbajtje të kujdesshme në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatet përkatëse. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dy shtetet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, thuhet tutje në komunikatë.

Ai ka theksuar se Gjermania e sheh Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian dhe për këtë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm.

Ai ka shtuar se të dy palët duhet të respektojnë vlerat dhe standardet evropiane.

Shija e redaktorit

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim juridik lidhur me situatën pas përfundimit të afatit kushtetues...

Të fundit nga rubrika