Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë .
Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti raportohet të ketë ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të komunës së Klinës, njofton Dukagjini.
“Nga hetimet e deritanishme të IPK-së dyshohet, se dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë që dyshohet të mos jetë armë zyrtare (në bazë të provave të gjetura në vendngjarje) dhe të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale “Përdorim i armës”. Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas veprës penale”, thuhet në njoftimin e IPK-së.