Pavarësisht se u kundërshtua nga pala e dëmtuar dhe nga 60 organizata të shoqërisë civile, Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarve që shpërndanë numrin e gazetares së KALLXO.com në grupin famëkeq “AlbKings” dhe për ngacmimin e saj.
Prokurorja Elza Bajrami që dikur i ftonte vajzat që ishin viktima të këtij grupi, të bënin denoncime, sot nuk u pa fare në Gjykatë, kur u dha dënimi më 22.09.2025.
Gjykata vendosi ta pranojë marrëveshjen mes Prokurorisë dhe 3 të akuzuarve, duke i dënuar me shumën totale, 7 mijë euro gjobë.
I akuzuari Besart Ramabaja akuzohet se kishte shpërndarë numrin e gazetares në grupin “AlbKings”, ndërsa Arian Tahiraj dhe Veton Alshiqi akuzohen për ngacmim.
Vendimi është shpallur nga gjyqtari i vetëm gjykues, Fisnik Gashi.
“Të akuzuarin Arian Tahiraj me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro, të akuzuarin Besart Ramabaja me dënim me gjobë në shumë prej 2,500 euro, të akuzuarin Veton Elshiqi me dënim me gjobë në shumë prej 2,500 euro”- tha gjyqtari, Fisnik Gashi.
Arjan Tahiraj dhe Besart Ramabaja kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorinë dhe ishte rekomanduar dënimi me nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro gjobë.
Gjykata Tahirajn e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë kurse Ramabajën e ka dënuar me 2,500 euro dënim me gjobë për veprën penale të ngacmimit.
Kurse Veton Alshiqi kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar dhe nga gjykata është dënuar me 2, 500 euro dënim me gjobë.
Më 19 shtator, një ditë pasi Prokuroria paraqiti në Gjykatë marrëveshjen me të pandehurit për pranim fajësie, pala e dëmtuar dhe 60 organizata tjera shpërndanë një reagim duke e cilësuar këtë dënim të rekomanduar si minimal.
Në reagimin e tyre, aktivistët e shoqërisë civile i kishin kërkuar Gjykatës së Prishtinës ta hidhte poshtë këtë marrëveshje dhe kërkuan ndëshkim meritor për kryerësit e kësaj vepre.
Sipas Kodit Penal, vepra penale “Ngacmimi” dënohet deri në 3 vjet burgim.
Organizatat nënshkruese kanë potencuar se për vlerësimin e tyre është shumë e qartë se për këtë vepër ligji parashikon dënim deri në 3 vjet burgim, mirëpo Prokuroria e Prishtinës ka pranuar një dënim skajshëm minimal, i cili nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe etik për situatën.
Gazetarja e KALLXO.com kishte marrë thirrje e mesazhe telefonike nga të akuzuarit, ndonëse ja u kishte bërë me dije se janë duke e shqetësuar.
Më 18.09.2025, Prokuroria e Prishtinës ka paraqitur në gjykatë marrëveshjen me të pandehurit, të cilët planifikohet të dënohen vetëm 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro gjobë për shqetësimin e vazhdueshëm të gazetares. Tre të pandehurit ishin arrestuar nga Policia në operacione speciale.
60 organizata të shoqërisë civile dhe organizata përfaqësuese të mbi 150 mediave në Kosovë, kanë reaguar më 19.09.2025, pas njoftimeve se Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar një dënim skajshmërisht të ulët për ngacmimet ndaj gazetares së KALLXO.com, të kryera nga publikues dhe ndjekës të grupit famëkeq “AlbKings
Aktakuza dhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë
Njëra nga gazetaret e KALLXO.com ishte viktimë e një sulmi të organizuar në rrjetin “AlbKings”, ku janë shpërndarë numra të telefonit të grave e vajzave, duke përfshirë edhe numrat e grave gazetare. Shpërndarja e cila kishte ndodhur pas një hulumtimi mbi dhunën në familje, e vendosi gazetaren në një situatë të ngacmimeve të vazhdueshme nga anëtarët e grupit famëkeq “AlbKings.
Tre nga personat e identifikuar nga Policia ishin arrestuar. Dy prej tyre e kishin ngacmuar gazetaren ndërsa i treti edhe e kishte shpërndarë numrin e telefonit në grupin “AlbKings” në Telegram. Pas arrestimeve dhe hetimeve, Prokuroria e Prishtinës kishte vendosur të hynte në negociata për pranim të fajësisë me të pandehurit.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja Elza Bajrami-Kastrati, në dispozitivin arsyetues nuk përmendet në asnjë moment fakti që njëri nga të akuzuarit ka pranuar që ka bërë shpërndarjen e numrit të telefonit por edhe motivin që qëndron prapa kësaj çështjeje.
Nga 14 faqe aktakuzë, në faqen 10 dhe 11, përmendet se gjatë ekzaminimit të telefonave të të akuzuarve nga hetuesit policorë kundër krimeve kibernetike, janë gjetur qindra materiale, video e fotografi pornografike, dhe numra të telefonit, e po ashtu edhe mesazhe të shumta që të akuzuarit u kishin shkruar vajzave e grave që ishin target i grupit.
Qindra vajza e gra, në mesin e të cilave edhe një gazetare e KALLXO.com, ishin viktima të publikimeve pirate në rrjetin social “Telegram” në Kosovë, përmes grupit të njohur si “AlbKings”.
Mbi 100 mijë anëtarë të grupit “AlbKings” kishin qasje në numra të telefonit, materiale të ndryshme, fotografi dhe video, shumë prej të cilave të montuara.
Duke përdorur këto materiale, djem e burra të shumtë arritën të merrnin qindra numra të telefonit dhe nisën të ngacmojnë, shantazhojnë, intimidojnë gratë dhe vajzat që ishin target.
I gjithë procesi gjyqësor për këtë rast ka vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve për pranim të fajsisë, të cilat parashohin një dënim me vetëm 2 mijë euro për ngacmimet e vazhdueshme.
Më 18.09.2025, mbrojtja e gazetares së KALLXO.com në Gjykatën e Prishtinës ka kërkuar që marrëveshja të mos pranohet me arsyetim se kjo marrëveshje nuk i ndëshkon në mënyrë meritore kryerësit dhe duke konstatuar se Prokuroria nuk kishte gjetur motivet e këtij krimi./Kallxo.com