Një gjykatë turke ka lëshuar të hënën një urdhër të ri arresti ndaj kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për “spiunazh politik”, duke shënuar një fazë të re në përplasjen mes qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe opozitës kryesore turke.
Sipas agjencisë Reuters, nuk është e pazakontë që gjykatat turke të lëshojnë urdhra të rinj arresti për persona që janë tashmë në paraburgim, nëse hapen hetime të reja. Megjithatë, kritikët thonë se sistemi gjyqësor në Turqi është i politizuar, akuzë që qeveria e mohon duke insistuar se gjykatat janë të pavarura.
Analistët politikë paralajmërojnë se ky zhvillim mund të çojë në marrjen nën kontroll shtetëror të Bashkisë së Stambollit, qytetit më të madh të Evropës dhe një bastion të rëndësishëm të opozitës.
Hetimi për “spiunazh” shihet si përshkallëzim i goditjeve ligjore që po zgjasin prej më shumë se një viti ndaj Partisë Republikane Popullore (CHP), forca kryesore opozitare e Turqisë. Kritikët e qeverisë e konsiderojnë këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë në vend.
Imamoglu, i cili ka qenë në burg që nga muaji mars, po pret gjyqin për akuza të tjera të lidhura me korrupsion, ndërsa në korrik ai u dënua edhe për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të Stambollit.
Sipas agjencisë shtetërore Anadolu, vendimi i fundit i gjykatës e akuzon Imamoglun për përdorim të fondeve korruptive në mbledhjen e mjeteve për kandidaturën e tij presidenciale, si dhe për spiunazh në përpjekje për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.
Nga burgu, Imamoglu i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. Ai e përsëriti këtë qëndrim edhe gjatë paraqitjes së tij në gjykatë të dielën.