Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar masën e sigurisë 22 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Siç bëhet e ditur në njoftim, atyre u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, njofton Dukagjini.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.
Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, në tri seanca të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njëzet e dy (22) personave, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve” thuhet në njoftim.