Pas postimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në platformën “X” për vizitën e saj në Kosovë dhe takimet me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka reaguar ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell.
Në reagimin e tij, Grenell e ka akuzuar Von der Leyen për hipokrizi, duke i përmendur “heshtjen e saj” ndaj arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Gjykata juaj e Hagës e ka mbajtur presidentin Thaçi për 5 vjet. Si mund t’i jepni këshilla për drejtësi çdo vendi? Ju qëndruat të heshtur ndërsa Jack Smith arrestoi një president në detyrë, vetëm sepse ai ishte duke shkuar për të takuar Donald Trumpin për të krijuar një marrëveshje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith/gjykatës. Është e turpshme se si media e ka injoruar këtë ndjekje penale politike”, ka shkruar Grenell në “X”.
Von der Leyen gjatë vizitës së sotme në Kosovë takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Ajo ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke kërkuar që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve dhe të ulë tensionet.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar Von der Leyen në postimin e saj në “X”.