Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për mbështetje ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Dokumenti mori 90 vota për, vetëm një kundër dhe asnjë abstenim.
Ndërkohë, propozimi i LDK-së për përfshirjen e një paragrafi lidhur me zbardhjen e vrasjeve pasluftës nuk u përfshi, dhe si rrjedhojë ky subjekt politik nuk mori pjesë në votim
Vëmendje të veçantë ka tërhequr vota pro e anëtarëve të Listës “Guxo”, përfshirë ministren e Drejtsisë, Donika Gërvalla, e cila më herët ishte shquar për qëndrime kritike ndaj figurave të luftës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Ky zhvillim ka nxitur reagimin e ish-këshilltarit të saj, Shpëtim Hajdari, i cili e ka kritikuar miratimin e rezolutës. Hajdari, djali i ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë në periudhën e pasluftës në Kosovë, e ka cilësuar këtë dokument si të pakuptimtë dhe hipokrit.
“Unë e konsideroj për mendimin tim që është një rezolutë shumë e pavlerë dhe hipokrite. Përderisa është një proces i rregullt gjyqësor, kush e konstatoi që shkelen të drejtat e njeriut? Unë nuk mendoj që po shkelen”, ka thënë Hajdari.