Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar mënyrën e trajtimit të amendamenteve kushtetuese të propozuara për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit të shtetit.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Hamza theksoi se çështja e zgjedhjes së presidentit nga populli është një temë e rëndësishme kushtetuese dhe se meriton trajtim serioz institucional dhe politik.
“Por a është ky trajtim serioz? Unë them aspak. Si me i thënë trajtim serioz ku edhe propozuesja e këtyre amendamenteve në orët e fundit të mandatit të saj i gjen disa amendamente të trajtuara para 15 viteve. Më vjen keq zonja kryetare e Kuvendit, që edhe Kuvendi po hyn në këtë valle të trajtimit të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës në një mënyrë jo serioze”, tha ai.