Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se në platformën “e-Kosova”, tek shërbimi “Familja”, është hapur aplikimi për mbështetjen e studentëve me nga 100 euro, si dhe për Bursën e Mobilitetit të Studentëve.
Sipas Muratit, të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve – Bachelor, Master dhe Doktoratë – që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, qoftë publike apo private.
“Të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, publike dhe private. Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, kurse pagesat do të kryhet me grupe, sipas radhës së aplikimit”, ka shkruar në postimin e tij në Facebook, Murati.
Ai ka bërë të ditur se është hapur edhe aplikimi për Bursën e Mobilitetit të Studentëve, që synon mbështetjen e studentëve në bazë të distancës ndërmjet vendbanimit dhe institucionit ku studiojnë.
“Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë. Kusht për përfitimin e Bursës së Mobilitetit është që familja e studentit/studentes të ketë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 12,000 euro”, thuhet në njoftimin e tij.
Qeveria në detyrë ditë më parë ka ndarë 26 milionë euro në formë të mbështetjes së njëhershme për studentët dhe në pakon e mobilitetit për ata që studiojnë larg vendbanimit të tyre.
Ndërkohë, nga opozita ky vendim është cilësuar si përpjekje për blerje votash në prag të zgjedhjeve lokale që mbahen më 12 tetor.