Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të aplikojnë deri më 13 gusht 2025.
Ai ka shtuar se është vendim i subjekteve politike në cilat komuna dëshirojnë të garojnë dhe nëse do të konkurrojnë për Kryetar Komune, për Kuvend Komunal, apo për të dyja.
“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, ka deklaruar Elezi.
Për të bërë më të lehtë procesin, aplikimi do të bëhet online, përmes një platforme elektronike.
Zgjedhjet Lokale 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë Kryetarët e rinj të Komunave dhe përbërjen e Kuvendeve Komunale në të gjithë vendin.