Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke e cilësuar kryeministrin Albin Kurti “mashtrues ordiner”.
Ndërsa, duke komentuar vendimin e fundit të Qeverisë për shtesa për pensionistët, ai ka thënë se Qeveria po mundohet ta mbajë shtetin me “vitra”.
Po ashtu, sipas tij, zgjidhja bëhet me masa të përhershme, duke bërë kështu thirrje për rritje të pensioneve.
“Jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme, si pasojë e rritjes pa kontroll të çmimeve, e Kryeministri në stilin e një mashtruesi ordiner, provon që duke ndarë lëmoshë t’i mbajë ‘gjallë’ pensionistët të cilët me aq sa marrin nuk i sigurojnë dot as ilaçet. Shteti nuk mbahet me ‘vitra’, herë 50 euro e herë 100 euro! Zgjidhja është me masa të përhershme. Rriti pagat e pensionet e mos e shndërro shtetin në ‘cirk social’. Pensionistët kanë nevojë për dinjitet e jo për lëmoshë. Nëse nuk di, merr shembull nga shtetet përreth”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Të mërkurën e 12 tetorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve shtesë në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin, duke thënë se 100 euro shtesë do të ekzekutohen për pensionistët në mes të muajit tetor.
Për këtë Qeveria në përgjithësi i ka ndarë mbi 28 milionë euro.
“Në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin, kemi paraparë mbështetje edhe për pensionistët. Pensionistët do të marrin nga 100 euro ”, ka thënë Besnik Bislim, zv-kryeministër i Kosovës.
Po ashtu, në këtë mbledhje kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar të arriturat e Qeverisë Kurti gjatë 1 viti e gjysmë qeverisjeje, duke theksuar se “Qeveria ka arritur më shumë suksese sesa çdo qeveri pararendëse”.