Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas lirimit të tre policëve kosovarë nga Serbia, ka shprehur kënaqësinë duke e quajtur atë një lajm të mirë për familjet e policëve dhe për Kosovën në përgjithësi.
Megjithatë, ai ka theksuar se kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet si një mbyllje e çështjes, duke i bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre.
“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre, por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As presidenti i Serbisë e as kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, ka deklaruar ai nëpërmjet rrjetit social, Facebook.
Haradinaj ka theksuar se Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë për veprimet e papërgjegjshme politike të regjimit në Serbi apo të Qeverisë në Prishtinë, që çuan në rrëmbimin dhe paraburgimin e policëve për një periudhë të gjatë, pa pasur asnjë faj të tyre.
Ai ka përshëndetur ndërhyrjen e diplomacisë amerikane për të mundësimin e lirimit të tyre dhe ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Tre policët e Kosovës janë liruar këtë të hënë pas seancës gjyqësore në gjykatën e Kralevës në Serbi.
Pas lirimit nga Serbia, tre zyrtarët policorë të Kosovës tashmë kanë mbërritur në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shem Mustafa ishin kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës, për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.
Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.