Të hënën e tetë gushtit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim ka zhvilluar një bisedë të hapur dhe vëllazërore për situatën politike në rajon dhe për temat me interes të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve.
“Shpreha gatishmërinë time për një bashkëpunim të ngushtë në shërbim të interesit të përbashkët kombëtar”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve dhe sinqeriteti në bashkëpunim me aleatët e sigurisë të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) është më jetik se asnjëherë më parë.

Ndryshe, më 4 qershor, Bajram Begaj u zgjodh president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërsa më 24 korrik, Begaj ka dhënë betimin e tij si president i Shqipërisë. Teksa ka deklaruar në fjalën e parë të tij si udhëheqës i shtetit, ka thënë se do t’i shërbejë Kushtetutës, interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar.