Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se po të ishte në vend të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta thërrsite me urgjencë në një takim kryeministrin Kurti, pas Tweet-it të Blinken.
Në një intervistë për “Five” të RTV Dukagjini, Haradinaj ka deklaruar se ndonëse e kupton situatën, presidentja Osmani tashmë do të duhej të kishte një qëndrim lidhur me situatën.
“Unë e kuptoj që nuk e ka lehtë, por situata është e ndjeshme. Unë besoj se presidentja, me aq sa mundet, është mirë me marrë qëndrim. Unë nuk jam njëri prej atyre që them “le të prishet koalicione”…nëse e kisha parë dje tweetin që ka shkruar Blinken, në vend të presidentes do ta thirrja me urgjencën në takim Kurtin. I kisha mbyllur dyert e do t’i thoja “çka po bëjmë?”. Nuk mundesh pas atij Tweet me diskutu gjëra tjera…”, ka deklaruar Haradinaj.
Ky i fundit ka thënë se Kurti mund t’i bëjë një nder Kosovës duke i zbatuar tri pikat që i kërkuan ndërkombëtarët.
“Unë mendoj që Kurti mund t’i bëjë endje një nder Kosovës, edhe vetes e edhe VV-së, të marrë guximin e të thotë: Po, i zbatoj tre pikat ose planin evropian, e zbatoj pikë për pike dhe në këtë kohë…Nga kjo, Kosova fiton, me të plan e fuqizon Kosovën sepse nga ai moment jemi palë kontraktuese”, ka deklaruar ai.
Blinken u ka bërë thirrje për ulje të tensioneve të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, si dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar që nga 26 maji, me ardhjen në pozitë të kryetarëve të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.