Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se një dënim eventual i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë do të kishte pasoja të rënda për të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për vetë luftën çlirimtare.
Në një intervistë në Klan Kosova, Hasani u shpreh se një aktgjykim fajësues ndaj Thaçit nënkupton kriminalizimin e gjithë veprimtarisë së UÇK-së.
“Nëse dënohet Hashim Thaçi, ‘udhëheqësi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, të gjithë të tjerët janë të dënuar. Pavarësisht nëse janë pjesë e gjykimit apo jo. Vepra çlirimtare e tyre dënohet. Dhe natyrisht që bie në përfundim që lufta jonë ka qenë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, tha Hasani.
Ai kritikoi institucionet shtetërore për mosangazhim të mjaftueshëm, duke theksuar se pavarësisht se kush është në pushtet, Qeveria e Kosovës është dashur të bëjë më shumë për të mbrojtur luftën dhe luftëtarët e saj.
Megjithatë, Hasani shprehu besim të plotë në pafajësinë e Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij: “Betejën në Hagë besoj fuqishëm se do ta fitojmë.”