Pas dështimit të seancës së 37-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për media ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, njëherit edhe kandidate në tentativë për të parën e Kuvendit.
Ajo ka thënë se me mungesën e vullnetit për të konstituar Kuvendin, opozita po i zgjat mandatin qeverisës Kurtit.
“Ju e dini që në mars e kemi përmbyllur mandatin tonë dhe jemi qeveri në detyrë,” ka thënë ajo, duke shtuar se është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi në mënyrë që pastaj të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë.
Tutje, Haxhiu ka kritikuar subjektet politike ish-opozitare, duke thënë se ata vijnë në Kuvend dhe nuk marrin fare pjesë në votim.
“Nuk ka kuptim që të vish në seancë për 29 herë, prej kur ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës për votimin e fshehtë, dhe për 29 herë ata kanë ardhur dhe nuk kanë marrë fare pjesë në votim… Ne jemi të vërtetë që nuk kemi marrëveshje me opozitën, por përveç që këta po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, këta po e zgjasin mandatin e qeverisë,” ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se do ta respektojnë atë.
“Por nuk mundet që vetëm një parti politike të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese…”, ka thënë ajo, duke shtuar se sot kishte edhe një reagim të shoqërisë civile dhe se si VV i ka pritur në takim duke i informuar për pozicionin e tyre.
“Ju kemi treguar se gjithçka që është varur nga ne e kemi adresuar, por nuk dimë se çka mund të bëjmë më tepër, sepse numrat janë këto dhe është e rëndësishme që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim,” ka thënë ajo.