Haxhiu: Është mirë që projektligji për Trustin të procedohet në Kuvend para pushimeve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është mirë të procedohet në Kuvendin e Kosovës, para se deputetët të shkojnë në pushime. Por siç thotë ai, kjo varet nga votimi i Qeverisë. Ai ka bërë të ditur se deri më tash nga peticioni për këtë projektligj janë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Bekim Haxhiu, ka folur lidhur me procedurat që duhet ndjekur që projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të shkojë në Kuvend për miratim.

Në një prononcim për EO, ai ka thënë se për tetë ditë një grup i qytetarëve të Kosovës kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për lejimin e tërheqjes së 30% të Trustit.

Sipas tij, ky projektligj është mirë të procedohet në Kuvend para se deputetët të shkojnë në pushime, por siç thotë ai, kjo varet nga votimi i Qeverisë.

“Realisht projektligji për Trustin do të duhej të kalonte në Kuvend, nuk kishte asnjë arsye as ligjore e as ekonomike që ai të refuzohej. E kam thënë edhe kur e kam proceduar në Kuvend që projektligji për trustin është kërkesë e qytetarëve dhe sot si asnjëherë më parë, kjo çështje është vërtetuar që projektligji për Trustin është kërkesë qytetare sepse qytetarët u organizuan dhe për 8 ditë kanë mbledhur se 20 mijë nënshkrime për ta riproceduar sërish projektligjin për trustin në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, bazuar në ligjin për nisma legjislative, tashmë i takon qytetarëve që me nënshkrimet e grumbulluara këtë projektligj ta riprocedojnë sërish në Kuvend.

Ai ka theksuar se ka gjasa që nënshkrimet të shkojnë në Kryesinë e Kuvendit ose te kryetari para pushimit vjetor.

“Njëherë janë procedurat teknike, skanimi i nënshkrimeve dhe procedimi i tyre në Kuvend”, ka shtuar Haxhiu.

“Po sigurisht, po besoj që tani deri sa të përgatiten edhe çështjet teknike të nënshkrimeve, skanimi i atyre më shumë se 20 mijë nënshkrimeve edhe procedimi i tyre në Kuvend, po ligji për nisma legjislative parasheh që këto nënshkrime edhe projektligji t’i dorëzohet kryetarit ose kryesisë dhe komisionit për peticione në mënyrë solemne. Dëshmon një demokraci të zhvilluar, ku qytetarët marrin nisma legjislative për një çështje, të cilët ata i preokupon, në këtë rast është tërheqja e mjeteve nga trusti”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.

Sipas tij, qysh në fillim qytetarët kanë qenë të gatshëm të mbledhin nënshkrimet për ta proceduar projektligjin për Trustin, mirëpo ishte kohë pandemie, dhe siç thotë ai, do të rrezikohej shëndeti i tyre.

“Ne e kemi marrë përsipër që me nënshkrimet e deputetëve, ta procedojmë në Kuvend. Tani është ekskluzivisht kërkesë e qytetarëve, të cilët në bazë vullnetare janë organizuar shesheve të Kosovës dhe në një afat rekord kanë mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime që nuk e ka bërë asnjë subjekt politik i organizuar deri sot, kaq shpejt e kaq shumë nënshkrime të mbledhin në një afat kaq të shkurtër kohor”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndryshe, më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.

Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Kategorikisht, kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa sipas opozitës, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.

Shija e redaktorit

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Të fundit nga rubrika