Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka demantuar pretendimet e shtetit serb, se Igor Popoviq “nën detyrim” ka pranuar fajësinë për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook, ajo e ka cilësuar këtë akuzë si të rreme.
“Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.Ministria e Drejtësisë së Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja”, ka shkruar Haxhiu.
Mers të tjerash, ajo ka shkruar se Serbia duhet të kuptojë një gjë për Kosovën.
“Serbia me kutin e saj gjykon edhe Republikën e Kosovës, por ajo duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjititeti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara”, ka përfunduar Haxhiu.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten zyrtarin serb, Igor Popoviq me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh.
Ndër të tjera, gjykata vendosi t’ia ndalojë Popoviqit hyrjen në Kosovë për një periudhë prej dy vjetësh, pasi ai pranoi fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.