Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procedurat për çështjen e presidentit do të nisin menjëherë pasi të sigurohen nënshkrimet e kandidatëve, duke theksuar se nuk mund të ndërmarrë hapa pa u plotësuar ky kusht ligjor.
Pas takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare, Haxhiu ka theksuar se Kuvendi duhet t’i përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese.
“Si Kuvend duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi, unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini se duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me gjitha partitë politike në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, ka deklaruar ajo për media, transmeton Dukagjini.
Ajo ka shtuar se, ndonëse sipas disa interpretimeve procesi duhet të përfundojë deri më 4 mars, nuk mund të veprojë pa u plotësuar kriteri i nënshkrimeve.
Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se është vendosur që takimet me kryetarët e komisioneve të mbahen rregullisht, së paku një herë në muaj, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe shmangien e zvarritjeve në trajtimin e projektligjeve.
Sipas saj, disa ligje janë të gatshme për procedim dhe është arritur dakordim që të vazhdohet pa vonesa.
Ajo ka theksuar se rastet kur projektligjet kanë mbetur për vite në komisione duhet të marrin fund, duke rikujtuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh afate strikte për trajtimin e tyre.
“Disa ligje janë të gatshme dhe u dakorduam që të vazhdojmë pa vonesa. Për shembujt e kaluar kur projektligjet kanë mbetur për vite në komisionet parlamentare duhet të marrin fund, rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh afate strikte për trajtimin e projektligjeve, prandaj do të kujdesemi që këto afate të respektohen”, ka theksuar Haxhiu.
Në takim, sipas saj, është diskutuar edhe për plotësimin e pozitave që varen nga Kuvendi. Haxhiu bëri të ditur se aktualisht janë 36 pozita që duhet të plotësohen, ndërsa 14 prej tyre kërkojnë vetëm inicim të drejtpërdrejtë nga Kuvendi.