Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar të enjten se sulmet e fundit të SHBA-së ndaj Iranit përbëjnë një “sukses të jashtëzakonshëm”.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se një operacion i tillë do të ishte konsideruar “i pamundur” pesë vjet më parë.
“Por ja ku jemi, falë udhëheqjes së presidentit Trump”, ka shtuar Hegseth, duke theksuar se presidenti amerikan ka udhëhequr, sipas tij, “operacionin ushtarak më kompleks dhe më sekret në histori”.
Ai gjithashtu vlerësoi zhvillimet e fundit në samitin e NATO-s, të mbajtur të mërkurën në Hagë, ku vendet anëtare ranë dakord që të investojnë 5% të Bruto Produktit të Brendshëm për mbrojtjen – një vendim që ai e cilësoi si “ndryshim loje”.
Deklaratat e Hegseth vijnë pak pas fjalimit të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili e përshkroi ndërhyrjen e SHBA-së si të pasuksesshme dhe akuzoi Trumpin për ekzagjerim të situatës./BBC