Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën.
Hoti përmes një postimi në Facebook ka krahasuar dy situata, duke thënë se më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, ai ka pranuar kërkesën e ShBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se opozita e atëhershme ishte mobilizuar me akuza për tradhti.
Ndërsa për situatën aktuale në veri ai ka thënë se presidentja i ka shtyrë zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese.
Sipas tij, shtyrjen e zgjedhjeve presidentja e ka bërë me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në qeveri.
Ndër të tjera, ai ka thënë se në dhjetor të vitit 2021, “në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin”.
“Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Hoti.
Hoti duke i krahasuar këto dy situata, krerët e shtetit i ka cilësuar si anarkistë, duke thënë se “këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”.