Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) ka kritikuar qasjen e Qeverisë në raport me krizën ekonomike.
Ai në lidhje me këtë ka thënë se çmimet e produkteve bazike u rritën shumë herë më tepër se mesatarja e çmimeve.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë një radhitje të rritjes së çmimeve të produkteve.
“Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe”, ka shkruar Hoti.
- Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%),
- Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%),
- Gazi (39,3%),
- Buka dhe drithërat (27,7%),
- Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%),
- Mishi (19,6%),
- Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%),
- Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%),
- Perimet (6,8%),
- Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%)
Deputeti i LDK-së, Hoti ka thënë se nëse do të hiqej akciza për naftë, qytetarët do të paguanin 1.39 euro për litër të këtij produkti.
“Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.
Ai ka thënë se nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8% dhe siç thotë ai nuk janë rritur pagat në sektorin publik dhe nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.