Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova në koordinim me Shtëpinë e Bardhë gjithmonë ka pasur benefite.
Sipas tij, ka ndodhur njohja nga Izraeli, demarkacioni, mbështetja për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave, mbështetja nga MCC për gaz dhe energji.
Po ashtu, ai ka thënë se është nënshkruar marrëveshja për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane dhe se është nënshkruar marrëveshja për teknologji 5G të sigurt.
“E kemi kornizuar dialogun vetëm për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke”, ka vijuar Hoti në Facebook.
Ai ka kërkuar që të mos rrezikohet mbështetja nga ShBA-ja, duke shtuar se nëse ndodh kjo, “do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës”.
Sipas Hotit, populli i Kosovës nuk e lejon që izolimi të vazhdojë, sepse siç thotë ai, nëse ndodh kjo, atëherë Qeveria në pushtet duhet të lirojë zyrat dhe të dorëzojë mandatin te ata që e ruajnë miqësinë me ShBA-në.
“Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.