Analisti Ylli Hoxha, në Debat Plus ka folur lidhur me numrin e daljes së qytetarëve në diasporë për të votuar, pra në ambasada dhe konsullata të Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një dalje relativisht të lartë.
“Në atë tabor, edhe më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka dominuar me votë, nëse i marrim rezultatet e asaj kohe. Kështu që aty Lëvizja Vetëvendosje mund ta ketë një deputet në avantazh, por ajo numërohet në fund dhe për ato vota marrim vesh tek në fund të procesit”, ka thënë ai.
“Ajo që dua të them për nesër është se unë e shoh betejën e subjekteve opozitare me Lëvizjen Vetëvendosje tek kapaciteti i tyre për nxjerrje të votuesve. Nëse numri i votuesve nuk ka trend rënës, ndikimi i diasporës do të bie. Nëse trendi i votuesve në Kosovë bie, ai e rrit vlerën specifike të votës së diasporës dhe beteja, besoj, ka me qenë këtu. Megjithatë, unë e parashoh këtë në aspekt të taborëve, jo në aspekt të secilit subjekt politik, ashtu siç është ndarë vota e Vetëvendosjes dhe opozitës si tërësi. Nuk pres ndryshime të mëdha”, ka deklaruar Hoxha.
“Pra, pres pak a shumë rezultatin e 9 shkurtit, aty me marzh gabimi ndoshta më të vogël sesa ai i UBO Consulting”, ka thënë ai.