Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë përkohësisht seanca ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të akuzuar për spiunazh në shërbim të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se seanca do të vazhdojë në orën 10:20, pasi i akuzuari Bedri Shabani ka raportuar probleme shëndetësore.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se kishte marrë informacion se Shabani nuk është mirë me shëndet, dhe pyeti nëse ai ka marrë trajtim nga mjekët dhe nëse është në gjendje të vazhdojë seancën.
I akuzuari Bedri Shabani deklaroi se nuk është i gatshëm për të vazhduar seancën.
“Nuk jam i gatshëm që me vazhdu seancën, nuk jam në gjendje. Po kam marrë, ju kisha lutur që seanca të mos mbahet. Po kam marrë terapi dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 minuta”, tha ai.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se Gjykata menjëherë do të kontaktojë shërbimin korrektues për të marrë informacione më të detajuara në lidhje me gjendjen shëndetësore të tij dhe Varësisht nga raporti që do të dorëzojë shërbimi korrektues, gjykata do të veprojë më tej.
“Trupi gjykues pas konsultimeve, pas këshillimit dhe duke marrë parasysh shqetësimin shëndetësor të ngritur nga i akuzuari Bedri Shabani dhe me qëllim të sqarimit të çështjes, nxjerr këtë aktvendim, ndërpritet seanca e shqyrtimit gjyqësor. Gjykata menjëherë do të kontaktojë shërbimin për të marrë informacione më të detajuara në lidhje me gjendjen shëndetësore të tij. Varësisht nga raporti që do të dorëzojë shërbimi korrektues, gjykata do të veprojë më tej. Seanca do të vazhdojë në orën 10:20.”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorë dhe pjesëtarë të saj, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës, me këto veprime dy të akuzuarit kanë synuar të ndihmojnë BIA-n në krijimin e një narrative të rreme për ta ndërlidhur Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe për të vënë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut.
Shabani dhe Qerimi ngarkohen me veprën penale “Spiunazh”, ndërsa Qerimi akuzohet edhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”./EO