I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Steve Ëitkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do t’u bashkohen bisedimeve për planin e paqes në Gazë në mesin e negociatorëve izraelitë dhe Hamasit në Egjipt të mërkurën.
Shkuarja e tyre ndodh teksa dita e dytë e bisedimeve indirekte të martën përfundoi pa rezultate, tha për BBC-në një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u shpreh optimist duke thënë se ekziston mundësia që të ketë paqe në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por tha se janë “ditë vendimtare”.
Në një postim në X, Netanyahu shtoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të arritur qëllimet e tij të luftës që janë, kthimi i të gjithë të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe premtimi se Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin.
Ëitkoff dhe Kushner pritej të largoheshin nga SHBA-ja të martën në mbrëmje dhe të mbërrinin në Egjipt të mërkurën, tha për BBC-në një burim i njohur me bisedimet.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i parë si një ndërmjetës kyç, do të bashkohet gjithashtu në bisedime, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.