Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka kritikuar ashpër Kuvendin e Kosovës për mos-veprimin ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpalli jokushtetues nenin 6, paragrafi 6 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Ibrahimi theksoi se komunat janë duke u përballur me një rrezik të madh financiar si pasojë e mos-zbatimit të këtij aktgjykimi, duke përfshirë mundësinë e padive nga nëpunësit civilë dhe obligime për kompensime.
Ai theksoi se ky dëm buxhetor vjen përveç barrës tjetër financiare që rëndon mbi komunat për shkak të vendimeve nga kontratat kolektive në sektorin publik, me një kosto të vlerësuar mbi 140 milionë euro.
Ibrahimi bëri thirrje për një qëndrim të unifikuar institucional kundër këtij diskriminimi financiar dhe kërkoi që përgjegjësitë për këtë situatë të mbeten në nivelin qendror.
Nëse kjo situatë vazhdon, ai paralajmëroi se komunat mund të përballen me pasoja të dyfishta që mund të dëmtojnë rëndë zhvillimin dhe stabilitetin buxhetor të tyre.
E plotë:
Për shkak të mos-përgjegjësisë dhe mos-veprimit të ish-Parlamentit të Republikës së Kosovës në zbatim të vendimeve të gjykatës kushtetuese, komunat do të dëmtohen edhe më shumë financiarisht.
Komunat e Republikës së Kosovës janë duke u rrezikuar seriozisht në aspektin financiar si pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit dhe papërgjegjshmërisë të ish-Kuvendit të Kosovës, i cili ka dështuar të zbatojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. KO79/23 që shpalli jokushtetues nenin 6 paragrafi 6 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e ka urdhëruar Kuvendine Republikës së Kosovës që deri më 1 gusht 2024 të ndryshojë dispozitën në fjalë, ky afat është tejkaluar pa asnjë veprim. Si pasojë, komunat mund dhe po përballen me padi të shumta nga nëpunësit civilë, ndërsa disa komuna veçse kanë filluar të pranojnë vendime gjyqësore që i obligojnë për kompensime në bazë të një norme tashmë të rrëzuar si jokushtetuese.
Ky dëm buxhetor vjen përveç një barrë tjetër të rëndë financiare që tashmë rëndon mbi komunat për shkak të zbatimit të vendimeve që burojnë nga kontrata kolektive në sektorin publik, me një kosto të vlerësuar mbi 140 milionë euro në komunat tona.
Prandaj, nëse vazhdon kjo qasje e papërgjegjshme nga institucionet qendrore, komunat rrezikojnë të përballen me pasoja të dyfishta:
• nga njëra anë, me implikime financiare të paarsyeshme nga një dispozitë ligjore jokushtetuese për të cilën ato nuk kanë asnjë përgjegjësi;
• dhe nga ana tjetër, me barrën akumulative të detyrimeve nga kontratat kolektive që po përthithin një pjesë të konsiderueshme të buxheteve lokale.
Ky zhvillim mund të ndikojë direkt në aftësinë e komunave për të realizuar investimet kapitale, për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe për të ruajtur stabilitetin buxhetor.
Prandaj, është e domosdoshme që:
• të ndërmerren qëndrime institucionale të unifikuara kundër këtij diskriminimi financiar,
• dhe të kërkohet me forcë që përgjegjësitë të mbeten aty ku ligjërisht dhe kushtetueshëm u takojnë, pra në nivelin qendror.