Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka mirëpritur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza të arritur brenda natës, duke thënë se ilaçi më i mirë është paqja.
“E mirëpres njoftimin e Presidentit të SHBA-së për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve – është me të vërtetë një hap i madh drejt paqes së qëndrueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët”, shkroi Ghebreyesus në X.
Ai, mes tjerash, u shpreh se shpreson që të gjitha palët do ta respektojnë marrëveshjen, në mënyrë që vuajtjet e të gjithë civilëve të marrin fund më në fund dhe të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Dy vjet bombardime dhe kufizime kufitare pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, kanë shkatërruar sistemin shëndetësor të Gazës, me vetëm disa spitale të mbetura funksionale.
OBSh-ja deklaroi në shtator se më shumë se 700 njerëz në enklavë kishin vdekur duke pritur për evakuim mjekësor, përfshirë gati 400 fëmijë.