Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Lipjanit, Ilir Qeriqi, ka premtuar një qeverisje ndryshe nga ajo e deritashme, duke kritikuar PDK-në dhe LDK-në që, sipas tij, kanë qeverisur komunën pa sjellë zhvillim të qëndrueshëm.
“Unë dhe ekipi im iu ofrojmë qytetarëve një qeverisje ndryshe. Që nga paslufta kanë qeverisur dy parti politike, fillimisht PDK e më pas LDK. Ne mendojmë se kthimi tek secila prej tyre është kthim mbrapa, sepse qytetari nuk ka përfituar asgjë të re”, ka deklaruar Qeriqi në emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se programi i tij është ndërtuar në gjashtë fusha kryesore.
“Ne kemi planifikuar një program të mirë që përfshin përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, infrastrukturë funksionale e të qëndrueshme, zhvillim lokal nëpërmjet fuqizimit të bujqësisë, rini aktive, kulturë e sport, si dhe promovim të punës vullnetare në komunë”, ka theksuar ai.
Duke folur për problemin e ujit të pijshëm, Qeriqi tha se Lipjani ka burime të mjaftueshme, por ka munguar vullneti politik për ta zgjidhur këtë çështje.
“Ka shumë ujë dhe puse, është lehtë me gjet ujë, por nuk ka pasur vullnet nga qeverisja për ta zgjidhur problemin. Komuna ka përgjegjësi për shtrirjen e rrjetit të gypave, ndërsa KRU-ja merr përsipër menaxhimin sapo të lëshohet uji. Aktualisht mbi 70 për qind e territorit të Lipjanit nuk ka ujë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ekipi i Vetëvendosjes ka bërë një skanim të gjendjes dhe ka vlerësuar se për zgjidhjen e plotë të problemit nevojiten rreth 4 milionë euro investime.
“Ne kemi bërë një skanim të gjendjes kemi vizituar lokacionet dhe së bashku me KRU-në jemi ulur dhe kemi bërë një kalkulim të kapaciteteve që duhet të investohet për ujin diku shifra na del afër 4 milionëve. Që mendojmë se nuk është shifër e madhe pasi nuk investon vetëm komuna në ujë por edhe KRU-ja, investon institucionet qendrore, dhe mekanizmat e donatorët ndërkombëtarë sepse janë çështje të ndjeshme”, ka deklaruar Qeriqi.
Qeriqi garantoi se ky problem do të zgjidhet gjatë një mandati qeverisës katërvjeçar.
“Ne garantojmë që në mandatin tonë katërvjeçar Lipjani do të ketë ujë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, deklaroi Qeriqi.