Në komunat veriore ka zhvillime, por Lista Serbe, partia më e madhe e cila mbizotëron dhe kontrollon skenën politike serbe, ka rënë në heshtje.
Në katër komunat veriore, e po ashtu edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare të martën kanë nisur punën për shkarkimin e kryetarëve nga partitë shqiptare.
Edhe për këtë çështje Lista Serbe po hesht.
Partia të cilën e udhëheqë Zlatan Elek mund të mos ketë qëndrim publik, por për Nexhat Ugljanin, Kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Lista Serbe është organizatorja e secilit peticion në katër komunat.
“Po edhe pse janë përfaqësues të organizatave jo-qevereitare ata i parashoh si integrim i Listës Serbe, sepse po bëhet renovim në kuadër të Listës Serbe. Edhe ai renovimi është përmes njerëzve nga organizatat e ndryshme jo-qeveritare”, ka deklaruar ai.
Ugljanin thotë se është në vend të punës dhe pret këdo që është i interesuar për peticion, por jo për këto veprime të cilat i cilëson spektakël politik.
Në këtë pikë mendim të njëjtë ka edhe gazetari serb, Branislav Kërstiq.
“Lista i ka përgatitur nënshkrimet, asnjë trup politike ose jo-qeveritare nuk e ka atë mundësi. Fakt tjetër është që ata i kanë angazhuar aktivistët e OJQ-së me shku deri te komuna”, ka thënë ai.
Kërstiq thotë se pas sulmit në Banjskë, politika e Serbisë është e detyruar të lëshojë pe ndaj Kosovës, ndërsa Beogradi, sipas tij, i mban nën kontroll serbët e Kosovës, veçanërisht përmes Listës Serbe.
“Edhe serbët janë të gatshëm për zgjedhjet lokale në veriun e vendit. Jam i sigurt sipas informatave që kam, që në javën e fundit të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt do të kemi zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.
Sa i përket fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunave veriore, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk e ka asnjë informatë zyrtare.