Zgjedhja e Meliza Krasniqit, ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, ka përplasur anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij institucioni me Ministrinë e Arsimit.
Pas reagimeve të MASHTI-t, se përzgjedhja e Krasniqit, që është edhe bashkëshortja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, është bërë në mënyrë të kundërligjshme, drejtuesit e Institutit Albanologjik në një konferencë për media, kanë shpalosur detaje për këtë proces.
Ushtruesi aktual në detyrë i drejtorit të këtij Instituti ka thënë se Ministria po ndërhynë në pavarësinë e këtij instituti.
“Reagimi i tyre ka qenë i panevojshëm dhe i paarsyeshëm meqë në mënyrë ligjore në bazë të legjislacionit në fuqi që e kemi ne kemi caktuar ushtruesin e detyrës duke i respektuar të gjitha dispozitat tona që i kemi në fuqi, ushtruesi i detyrës ka ardhur si propozim i Këshillit shkencor”, ka deklaruar Adil Olluri – U.d i drejtorit të Institutit Albanologjik.
E anëtari i Këshillit drejtues, ka thënë se gjithçka është e ligjshme duke lavdëruar punën e kandidates së zgjedhur për këtë pozitë.
“Ajo është bashkëpunëtore shkencore dhe tash së voni bashkëpunëtore e lartë shkencore, dhe profesoreshë e asocuar, titulli i parafundit më i lartë, ajo ka botuar tri monografi shkencore dhe përmbledhje me studime shkencore, është përkthese shumë e mirë…Pra është puntore e përkushtuar dhe puna e saj në Institut është pa asnjë ndërlidhje me politiken…”, ka deklaruar Gëzim Aliu – Anëtar i Këshillit Drejtues.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe ish urshtruesi i detyrës së Institutit Albanologjik, i cili ka thënë se problemet me Ministrinë e Arsimit janë të kamotshme.
“Ministria sapo i kalon mandati i drejtorit të rregullt të asaj kohe, Hysen Matoshi ndërhyn përmes këshilltarit të lartë politik, që procesi nuk ka qenë në rregull sepse antarët e Këshillit drejtues të ministrisë nuk kanë pasur mandat, që i bie që ministria vetë e ka krijuar problemin dhe vete e ka përdorur atë problem për të filluar problemet me Institutin”, ka theksuar Naim Berisha- Ish-u.d i drejtorit të Institutit Albanologjik.
Ministria e Arsimit, një ditë më parë ka reaguar për këtë duke thënë se zgjedhja e saj është juridikisht e pavlefshme dhe në kundërshtim me rregulloren e punës, meqë sipas tyre në mbledhjen e Këshillit Drejtues të 20 qershorit kishin marrë pjesë vetëm tre anëtarë nga pesë, e që vendimmarrja kërkon kuorum prej katër anëtarësh.