Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka reaguar ndaj deklaratës së Eparkisë së Rashkës-Prizrenit, duke e cilësuar atë si përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga deklarata skandaloze e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, për “spastrimin etnik” të Kosovës.
Sipas “Octopus”, deklarata e Kishës Ortodokse Serbe përmban narrativa manipuluese të Serbisë dhe mbron në mënyrë indirekte qëndrimet e ministres Paunoviq pas reagimeve ndërkombëtare ndaj deklaratës së saj skandaloze, njofton Dukagjini.
Instituti vlerëson se përdorimi i Kishës si bartëse e kësaj narrative paraqet, sipas tyre, një formë të menaxhimit të krizës informative.
“Octopus” ka kritikuar edhe formulimet në deklaratën e Eparkisë së Rashkës-Prizrenit për “pozitën gjithnjë e më të rëndë të popullit serb dhe të Kishës në Kosovë e Metohi”, duke pretenduar se një gjuhë e tillë, sipas tyre, tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare.
“Pas reagimeve të ashpra ndërkombëtare ndaj deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”, Eparkia tenton shpërqendrimin nga përgjegjësia politike e Beogradit, duke përsëritur pretendimet viktimizuese për “diskriminimin, shtypjen dhe terrorin” ndaj serbëve në Kosovë. Në komunikimin strategjik, ky është një model i njohur i menaxhimit të krizës informative, duke e transferuar narrativën te Kisha si institucion fetar me peshë morale dhe simbolike. Deklarata “Pozita gjithnjë e më e rëndë e popullit serb dhe e Kishës në Kosovë e Metohi”, përdor një gjuhë që tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare, duke përsëritur narrativën se gjoja serbët në Kosovë po përballen me “zhdukje të plotë”. Një formulim i tillë, me ngarkesë politike e psikologjike, nuk ka për qëllim vetëm manipulimin e opinionit ndërkombëtar, por edhe ‘arsyetimin’ e deklaratës së Paunoviqit, duke projektuar një proces të ngjashëm me spastrimin etnik”, thuhet në reagimin e Octopus.
Instituti ka përmendur edhe dekorimin e Danica Marinkoviqit nga Kisha Ortodokse Serbe, duke pretenduar se kjo përbën “legjitimim të mohimit të krimeve të luftës në Kosovë”.
“Kisha Ortodokse Serbe aktivizohet si një faktor amortizues ndaj presionit ndërkombëtar, duke rehabilituar Millosheviqin dhe legjitimuar qëllimet e ‘Botës Serbe’”, thuhet në deklaratë.
Sipas “Octopus”, deklarata e Kishës nuk paraqet fakte që do të mund të verifikoheshin nga mekanizmat ndërkombëtarë, por “amplifikon narrativat politike” ndaj institucioneve të Kosovës.
“Deklarata nuk prezanton asnjë fakt që do të mund të ishte objekt hetimi apo monitorimi ndërkombëtar, por amplifikon narrativat politike sipas të cilave institucionet e Kosovës janë mekanizëm sistematik diskriminimi, ndërsa Policia e Kosovës instrument i shtypjes etnike”, thuhet në reagim.
Instituti e ka cilësuar shqetësues faktin që Kisha Serbe nuk është distancuar nga deklarata e Paunoviqit dhe deklaratat e zyrtarëve serbë, duke pretenduar se kjo pjesë e një strategjie hibride.
“Për Institutin “Octopus” është veçanërisht shqetësues fakti se Kisha Serbe nuk distancohet nga deklarata e Paunoviqit dhe mbrojtja e Ivica Daçiqit, ndërsa pretendimet për diskriminim etnik e fetar i “bazon” në strategjinë hibride të sabotimit të Kosovës: eliminimin e strukturave ilegale si diskriminim institucional; integrimin e sistemit paralel të arsimit dhe shëndetësisë si cenim të qasjes; provokimet shoviniste si liri e shprehjes, etj. Pretendimi i Kishës se pa reagim të menjëhershëm ndërkombëtar mund të ndodhë “zhdukja e popullit serb”, është konstruksion viktimizues me ton alarmist, që synon përmbysjen e roleve, me përceptimin për serbët si viktima ekzistenciale. Kjo teknikë është përdorur vazhdimisht për ta relativizuar trashëgiminë e politikës së Millosheviqit dhe për ta paraqitur Serbinë si “mbrojtëse” të një populli të kërcënuar”, thuhet mes tjerash në reagim.
Në fund, Instituti “Octopus” ka theksuar se të drejtat e komuniteteve pakicë dhe trashëgimia fetare janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të trajtojë me seriozitet edhe atë që e cilëson si “kërcënim nga glorifikimi i figurave të lidhura me krimet e luftës”.